Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 22:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kaluan tre vjet pa luftë midis Sirisë dhe Izraelit.

2. Por në vitin e tretë Jozafati, mbreti i Judës, zbriti të takohet me mbretin e Izraelit.

3. Mbreti i Izraelit u kishte thënë shërbëtorëve të tij: "Ju nuk e dini që Ramothi i Galaadit është yni dhe ne po rrimë të qetë pa e rimarrë nga duart e mbretit të Sirisë?".

4. Pastaj i tha Jozafatit: "A nuk do të vije të luftoje me mua në Ramoth të Galaadit?". Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit me këto fjalë: "Ki besim tek unë ashtu si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu, mbi kuajt e mi ashtu si ke besim te kuajt e tu".

5. Jozafati i tha gjithashtu mbretit të Izraelit: "Të lutem këshillohu po sot me Zotin".

6. Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët që ishin rreth katërqind, dhe iu tha: "A duhet të shkoj të luftoj kundër Ramothit të Galaadit, apo të heq dorë nga kjo?". Ata iu përgjigjën: "Shko, sepse Perëndia do ta japë në duart e mbretit".

7. Por Jozafati tha: "A nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?".

8. Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen". Jozafati u përgjigj: "Mbreti nuk duhet të flasë kështu!".

9. Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sill menjëherë Mikajahun, birin e Imlahut".

10. Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e tij, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, në lëmin që ndodhet në hyrje të portës së Samarisë; dhe tërë profetët profetizonin para tyre.

11. Sedekia, bir i Kenaanahut, që i kishte bërë vetes brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej sirët derisa t'i shkatërrosh plotësisht"".

12. Tërë profetët bënin profeci të njëllojtë dhe thoshin: "Shko kundër Ramothit të Galaadit dhe do t'ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 22