8. Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin.
9. Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit;
10. i vini përballë dy njerëzve të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë".
11. Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t'u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar.
12. Shpallën agjërimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit.
13. Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq.
14. Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq".
15. Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur".
16. Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel.
17. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, tishbitit, me këto fjalë, duke i thënë:
18. "Çohu dhe dil para Ashabit, mbretit të Izraelit, që banon në Samari; Ja, ai është në vreshtin e Nabothit, ku ka shkuar për ta shtënë në dorë.
19. Do t'i flasësh kështu: Kështu thotë Zoti: "Në fillim vrave një njeri dhe pastaj i rrëmbeve pronën". Pastaj t'i thuash: Kështu thotë Zoti: "Po në atë vend ku qentë kanë lëpirë gjakun e Nabothit, ata kanë për të lëpirë edhe gjakun tënd"".
20. Ashabi i tha Elias: "Më gjete pra, o armiku im?". Elia u përgjigj: "Po, të gjeta, sepse je shitur për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.
21. Ja, unë do të sjell mbi ty fatkeqësinë, do t'i zhduk tërë pasardhësit e tu dhe do të shfaros nga shtëpia e Ashabit çdo mashkull, skllav apo i lirë në Izrael.