Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 20:3-17 Bibla Shqip (ALBB)

3. "Kështu thotë Ben-Hadadi: "Argjendi dhe ari yt janë të mitë, po kështu bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu më të mirë janë të mitë"".

4. Mbreti i Izraelit u përgjigj: "Është ashtu si thua ti, o mbret, o imzot; unë dhe tërë ato që kam jemi të tutë".

5. Lajmëtarët e kthyen përsëri dhe thanë: "Kështu flet Ben-Hadadi: "Unë të çova fjalë se duhet të më japësh argjendin dhe arin tënd, gratë e tua dhe bijtë e tu;

6. por nesër, në këtë orë, do të dërgoj te ti shërbëtorët e mi, të cilët do të bastisin shtëpinë tënde dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tu; ata do të marrin të gjitha gjërat që janë me të shtrenjta për ty"".

7. Atëherë mbreti i Izraelit thirri tërë pleqtë e vendit dhe u tha: "Shikoni, ju lutem, se si ky njeri kërkon shkatërrimin tonë, sepse më ka dërguar të kërkojë gratë e mia dhe bijtë e mi, argjendin dhe arin tim, dhe unë nuk i kam refuzuar asgjë".

8. Tërë pleqtë dhe tërë populli thanë: "Mos e dëgjo dhe mos prano".

9. Ashabi iu përgjigj pastaj lajmëtarëve të Ben-Hadadit: "I thoni mbretit, zotit time: "Të gjitha gjërat që i kërkove shërbëtorit tënd herën e parë do t'i bëj, por këtë nuk mund ta bëj"". Kështu lajmëtarët shkuan t'i njoftojnë përgjigjen Ben-Hadadit.

10. Atëherë Ben-Hadadi i çoi fjalë Ashabit: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq në rast se pluhuri i Samarisë do të mjaftojë që të mbushin grushtat tërë njerëzit që më pasojnë!".

11. Mbreti i Izraelit u përgjigj: "I thoni: "Ai që ka armaturën në trup të mos lavdërohet si ai që e heq"".

12. Kur Ben-Hadadi mori këtë përgjigje, ai ndodhej bashkë me mbretërit duke pirë në çadrat, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Bëhuni gati për mësymje!". Kështu ata u përgatitën për të sulmuar qytetin.

13. Por ja që një profet iu afrua Ashabit, mbretit të Izraelit, dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "E shikon këtë turmë të madhe? Ja, që sot unë do ta lë në dorën tënde dhe kështu do të mësosh që unë jam Zoti"".

14. Ashabi i tha: "Me anë të kujt?". Ai u përgjigj: "Kështu thotë Zoti: "Me anë të të rinjve në shërbim të krerëve të krahinave"". Ashabi tha: Kush do ta fillojë betejën?". Profeti u përgjigj: "Ti".

15. Atëherë Ashabi kaloi në revistë të rinjtë që ishin në shërbim të krerëve të krahinave; ata ishin dyqind e tridhjetë e dy veta. Pastaj kaloi në revistë tërë popullin, tërë bijtë e Izraelit; ishin shtatë mijë veta.

16. Në mesditë bënë një dalje, ndërsa Ben-Hadadi ishte duke pirë dhe duke u dehur bashkë me tridhjetë e dy mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë.

17. Të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën të parët. Ben-Hadadi dërgoi njerëz për të parë dhe ata i njoftuan: "Nga Samaria kanë dalë disa njerëz".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 20