Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 20:25-37 Bibla Shqip (ALBB)

25. Mblidh një ushtri baras me atë që ke humbur, me po aq kuaj dhe qerre; pastaj do të ndeshemi në fushë dhe me siguri do të jemi më të fortë se ata". Ai pranoi këshillën e tyre dhe veproi ashtu siç i thanë.

26. Pas një viti Ben-Hadadi kaloi në revistë sirët dhe doli në drejtim të Afekut për të luftuar Izraelin.

27. Edhe bijtë e Izraelit u thirrën për t'u mbledhur dhe u furnizuan me ushqime; pastaj u nisën kundër sirëve dhe ngritën kampin e tyre përballë tyre; dukeshin si dy kope të vogla dhish, ndërsa sirët e kishin mbushur vendin.

28. Atëherë një njeri i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "Me qenë se sirët kanë thënë: Zoti është Perëndia i maleve dhe nuk është Perëndia i luginave unë do të jap në duart e tua tërë këtë mizëri të madhe; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti"".

29. Shtatë ditë me radhë qëndruan në kampet e tyre njeri përballë tjetrit, por ditën e shtatë filloi beteja dhe bijtë e Izraelit vranë brenda një dite të vetme njëqind mijë këmbësorë sirë.

30. Ata që shpëtuan ikën në qytetin e Afekut, ku muret ranë mbi njëzet e shtatë mijë prej tyre. Edhe Ben-Hadadi iku dhe shkoi në qytet për t'u fshehur në një dhomë të brendshme.

31. Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, kemi dëgjuar të thuhet që mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërbutë; prandaj të veshim thasë dhe të vëmë litarë në qafë dhe të dalim të presim mbretin e Izraelit; ndofta ai ka për të na lënë të gjallë".

32. Kështu ata u veshën me thasë dhe vunë litarë në qafë, shkuan te mbreti i Izraelit dhe i thanë: "Shërbëtori yt Ben-Hadadi thotë: "Të lutem, lërmë të gjallë"". Ashabi u përgjigj: "Është ende gjallë? Ai është vëllai im".

33. Këta njerëz e morën këtë si shenjë të mbarë dhe nxituan të kërkonin vërtetimin e kësaj thënie, duke thënë: "Ben-Hadadi është, pra, vëllai yt!". Ai u përgjigj: "Shkoni ta merrni". Kështu Ben-Hadadi shkoi te Ashabi, që e hipi në qerren e tij.

34. Atëherë Ben-Hadadi i tha: "Unë do të të kthej qytetet që ati im i hoqi atit tënd; dhe kështu ti do të vendosësh tregje në Damask, ashtu si kishte bërë im atë në Samari". Ashabi i tha: "Me këtë kusht do të të lë të ikësh"; kështu Ashabi lidhi një besëlidhje me të dhe e la të ikë.

35. Atëherë një nga bijtë e profetëve i tha shokut të tij me urdhër të Zotit: "Më godit!". Por ky nuk pranoi ta godasë.

36. Atëherë i pari i tha: "Me qenë se nuk iu binde zërit të Zotit, sapo të largohesh nga unë një luan do të të vrasë". Kështu, me t'u larguar nga ai, doli një luan dhe e vrau.

37. Pastaj profeti gjeti një njeri dhe i tha: "Më godit!". Ky e rrahu dhe e plagosi.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 20