17. Të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën të parët. Ben-Hadadi dërgoi njerëz për të parë dhe ata i njoftuan: "Nga Samaria kanë dalë disa njerëz".
18. Mbreti tha: "Në rast se kanë dalë me qëllime paqësore, i zini të gjallë; në qoftë se kanë dalë për të luftuar, i zini gjithashtu të gjallë".
19. Kështu të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën nga qyteti bashkë me ushtrinë që i pasonte,
20. dhe secili prej tyre vrau nga një njeri. Kështu sirët ua mbathën këmbëve dhe izraelitët i ndoqën; dhe Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, iku me kalë bashkë me disa kalorës.
21. Edhe mbreti i Izraelit mori pjesë në luftimet, shkatërroi kuaj dhe qerre dhe u shkaktoi sirëve një disfatë të madhe.
22. Atëherë profeti iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Shko, përforcohu dhe mendo mirë atë që duhet të bësh, sepse mbas një viti mbreti i Sirisë do të të sulmojë".
23. Shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë: "Perëndia i tyre është Perëndia i maleve; prandaj ata qenë më të fortë se ne; por në rast se ndeshemi në fushë, ne do të jemi me siguri më të fortë.
24. Prandaj vepro kështu: tërë mbretërve hiqua komandën që kanë dhe në vend të tyre cakto kapedanë.
25. Mblidh një ushtri baras me atë që ke humbur, me po aq kuaj dhe qerre; pastaj do të ndeshemi në fushë dhe me siguri do të jemi më të fortë se ata". Ai pranoi këshillën e tyre dhe veproi ashtu siç i thanë.
26. Pas një viti Ben-Hadadi kaloi në revistë sirët dhe doli në drejtim të Afekut për të luftuar Izraelin.
27. Edhe bijtë e Izraelit u thirrën për t'u mbledhur dhe u furnizuan me ushqime; pastaj u nisën kundër sirëve dhe ngritën kampin e tyre përballë tyre; dukeshin si dy kope të vogla dhish, ndërsa sirët e kishin mbushur vendin.
28. Atëherë një njeri i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "Me qenë se sirët kanë thënë: Zoti është Perëndia i maleve dhe nuk është Perëndia i luginave unë do të jap në duart e tua tërë këtë mizëri të madhe; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti"".