Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 2:17-28 Bibla Shqip (ALBB)

17. Atëherë ai tha: "Të lutem, thuaji mbretit Salomon, i cili nuk të refuzon asgjë, që të më japë për grua shunamiten Abishag".

18. Bath-Sheba iu përgjigj: "Mirë! Do t'i flas mbretit në favorin tënd".

19. Bath-Sheba shkoi, pra, te mbreti Salomon për t'i folur në favor të Adonijahut. Mbreti u ngrit për t'i dalë përpara, u përul përpara saj, pastaj u ul në fronin e tij dhe urdhëroi që të vinin një fron tjetër për nënën e mbretit, dhe ajo u ul në të djathtë të tij.

20. Ajo tha: "Kam një kërkesë të vogël, mos ma refuzo". Mbreti iu përgjigj: "Bëje, pra, kërkesën tënde, o nëna ime; unë nuk do ta refuzoj".

21. Atëherë ajo i tha: "Shunamitja Abishag t'i jepet si grua vëllait tënd Adonijah".

22. Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së tij, duke i thënë: "Pse kërkon shunamiten Abishag për Adonijahun? Kërko për të edhe mbretërinë, sepse ai është vëllai im madhor; kërkoje për të, për priftin Abiathar dhe për Joabin, birin e Tserujahut!".

23. Atëherë mbreti Salomon u betua në emër të Zotit, duke thënë: "Perëndia ma bëftë këtë edhe më keq në rast se Adonijahu nuk e ka thënë këtë fjalë duke vënë në rrezik jetën e tij!

24. Prandaj, tani, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka caktuar, ka vendosur të ulem në fronin e atit tim David dhe më ka themeluar një shtëpi ashtu siç kishte premtuar, sot Adonijahu do të ekzekutohet!".

25. Kështu mbreti Salomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, që u hodh mbi Adonijahun dhe ky vdiq.

26. Pastaj mbreti i tha priftit Abiathar: "Shko në Anathoth në arat e tua, sepse ti meriton vdekjen; por unë nuk do të të bëj që të vdesësh sot, sepse ke i çuar arkën e Perëndisë, Zotit, përpara atit

27. Kështu Salomoni largoi Abiatharin nga funksioni i priftit të Zotit me qëllim që të shkonte në vend fjala që Zoti kishte shqiptuar lidhur me shtëpinë e Elit në Shiloh.

28. Ndërkaq lajmi i kishte vajtur Joabit, sepse Joabi kishte ndjekur Adonijahun por nuk kishte ndjekur Absalomin. Prandaj ai u strehua në tabernakullin e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 2