Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 19:10-18 Bibla Shqip (ALBB)

10. Ai u përgjigj: "Më nxiti një zili e madhe për Zotin, Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata kërkojnë të më vrasin".

11. Perëndia i tha: "Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit". Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.

12. Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël.

13. Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës; dhe ja, një zë i tha: Ç'bën aty Elia?".

14. Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin".

15. Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë.

16. Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.

17. Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu.

18. Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 19