Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 18:31-46 Bibla Shqip (ALBB)

31. Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: "Emri yt do të jetë Izrael".

32. Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri.

33. Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: "Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi holokaustin dhe mbi drutë".

34. Përsëri tha: "Bëjeni një herë të dytë". Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: "Bëjeni për të tretën herë". Dhe ata e bënë për të tretën herë.

35. Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën.

36. Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: "O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd.

37. Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre".

38. Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi holokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë.

39. Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: "Zoti është Perëndia!.

40. Pastaj Elia u tha atyre: "Zini Profetët e Baalit; mos lini t'ju ikë as edhe një!". Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri.

41. Pastaj Elia i tha Ashabit: "Ngjitu, ha dhe pi, sepse dëgjohet që tani zhurma e një shiu të madh".

42. Kështu Ashabi u ngjit për të ngrënë dhe për të pirë; por Elia u ngjit në majë të Karmelit, u përkul deri në tokë dhe vuri fytyrën midis gjunjëve,

43. dhe i tha shërbëtorit të tij: "Tani ngjitu dhe shiko nga ana e detit!". Ai u ngjit, shikoi dhe tha: Nuk ka asgjë". Elia i tha: "Kthehu të shikosh, shtatë herë".

44. Herën e shtatë shërbëtori tha: "Është një re e vogël, e madhe si pëllëmba e një dore që ngjitet nga deti". Atëherë Elia tha: "Shko dhe i thuaj Ashabit: "Lidhi kuajt në qerre dhe zbrit para se të të zërë shiu"".

45. Brenda një kohe të shkurtër qielli u errësua për shkak të reve e të erës, dhe ra një shi i madh. Kështu Ashabi hipi mbi qerre dhe shkoi në Jezreel.

46. Dora e Zotit ishte mbi Elian, që shtrëngoi ijët dhe vrapoi para Ashabit deri në hyrje të Jezreelit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 18