Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 18:16-25 Bibla Shqip (ALBB)

16. Abdia, pra, shkoi të kërkojë Ashabin dhe i njoftoi çështjen, dhe Ashabi i doli përpara Elias.

17. Me ta parë Elian i tha: "Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?".

18. Elia u përgjigj: "Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve.

19. Prandaj dërgo tani të thërrasin tërë Izraelin pranë meje në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherahut që hanë në tryezën e Jezebelit".

20. Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel.

21. Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë.

22. Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë.

23. Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato.

24. Ju do t'i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!".

25. Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 18