Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 16:23-34 Bibla Shqip (ALBB)

23. Në vitin e tridhjetenjëtë të Asas, mbretit të Judës, Omri filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet. Gjashtë vjet mbretëroi në Tirtsah,

24. pastaj bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talenta argjendi; ndërtoi në mal një qytetet të cilin e quajti Samaria, nga emri i Shemerit, zotëria i malit.

25. Omri bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u soll më keq se të gjithë paraardhësit e tij;

26. ndoqi tërësisht rrugën e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe mëkatet që ky kishte detyruar Izraelin t'i kryejë, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tij.

27. Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Omri dhe trimëritë e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

28. Pastaj Omrin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashabi.

29. Ashabi, bir i Omrit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në vitin e tridhjetë e tetë të Asas, mbretit të Judës; dhe Ashabi, bir i Omrit, mbretëroi në Samari mbi Izraelin njëzet e dy vjet.

30. Ashabi, bir i Omrit bëri ato gjëra që shihen me sy të keq nga Zoti më tepër se ata që e kishin paraprirë.

31. Përveç kësaj, sikur të ishte për të një gjë e vogël ndjekja e mëkateve të Jeroboamit; birit të Nebatit mori për grua Jezebelën, bijën e Ethbaalit, mbretit të sidonitëve, dhe shkoi t'i shërbejë Baalit dhe të bjerë përmbys para tij.

32. I ngriti pastaj një altar Baalit, në tempullin e Baalit, që kishte ndërtuar në Samari.

33. Ashabi bëri edhe një Asherah; Ashabi provokoi zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, më tepër se gjithë etërit e Izraelit që e kishin paraprirë.

34. Gjatë ditëve të sundimit të tij, Hieli nga Betheli rindërtoi Jerikon; hodhi themelet e tij mbi Abiramin, të parëlindurin e tij, dhe ngriti portat mbi Segubin, më të riun nga bijtë e tij, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të Jozueut, birit të Nunit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 16