Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 16:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj fjala e Zotit iu drejtua Jehuhit, birit të Hananit, kundër Baashas, duke thënë:

2. "Të kam ngritur nga pluhuri dhe të kam bërë princ të popullit tim Izraelit, por ti ke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe ke bërë të mëkatojë popullin tim të Izraelit, duke provokuar zemërimin tim me mëkatet e tij;

3. prandaj do të zhduk Baashan dhe shtëpinë e tij dhe do ta bëj me shtëpinë tënde atë që kam bërë me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit.

4. Ata të Baashas që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë, dhe ata që do të vdesin në ara do t'i hanë shpendët e qiellit".

5. Pjesa tjetër e bëmave dhe të trimërive a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

6. Pastaj Baashan e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Tirtsah. Në vend të tij mbretëroi i biri, Elahu.

7. Përveç kësaj fjala e Zotit iu drejtua me anë të profetit Jehu, birit të Hananit, kundër Baashas dhe kundër shtëpisë së tij për gjithë të këqijat që Baasha kishte bërë në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij me veprat e kryera nga dora e tij, duke u bërë si shtëpia e Jeroboamit, edhe sepse e kishte vrarë atë.

8. Në vitin e njëzet e gjashtë të Asas, mbretit të Judës, Elahu, bir i Baashas, filloi të mbretëroj mbi Izraelin në Tirtsah dhe qëndroi në fron dy vjet.

9. Zimri, shërbëtori i tij, komandant i gjysmës së qerreve të tij, komplotoi kundër tij. Ndërsa ai ndodhej në Tirtsah, duke pirë dhe duke u dehur në shtëpinë e Artsas, prefektit të pallatit të Tirtsahut,

10. Zimri hyri, e goditi dhe e vrau në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij.

11. Kur filloi të mbretërojë, sapo u ul në fron, shkatërroi tërë shtëpinë e Baashas; nuk la të gjallë as edhe një mashkull midis kushërinjve të afërt të tij dhe miqve.

12. Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Baashas, sipas fjalës së Zotit të drejtuar kundër Baashas me anë të profetit Jehu,

13. për shkak të mëkateve të Baashas dhe të mëkateve të birit të tij Elah, që ata vetë kishin kryer dhe që kishin bërë t'i kryente Izraeli, duke nxitur zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tyre.

14. Pjesa tjetër e bëmave të Elahut dhe tërë atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 16