Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 15:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami filloi të mbretërojë mbi Judën.

2. Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.

3. Ai kreu mëkatet që i ati kishte bërë para tij dhe zemra e tij nuk iu shenjtërua plotësisht Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.

4. Megjithatë për dashurinë që ushqente për Davidin, Zoti, Perëndia i tij, i la një llambë në Jeruzalem, dhe e ngriti të birin mbas tij dhe e bëri të qëndrueshëm Jeruzalemin,

5. sepse Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, hiteut.

6. Midis Roboamit dhe Jeroboamit pati luftë sa qe gjallë Roboami.

7. Pjesa tjetër e bëmave të Abijamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Pati luftë midis Abijamit dhe Jeroboamit.

8. Pastaj Abijamin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa.

9. Në vitin e njëzet të mbretërisë së Jeroboamit, mbretit të Izraelit, Asa filloi të mbretërojë në Judë.

10. Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.

11. Asa bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu si i ati Davidi.

12. Eliminoi nga vendi ata që merreshin me kurvëri të shenjtë dhe tërë idhujt e krijuar nga etërit e tij.

13. Hoqi nga posti i mbretëreshës nënën e tij Maakah, sepse ajo kishte bërë një idhull të neveritshëm të Asherahut; Asa e rrëzoi atë idhull të neveritshëm dhe e dogji pranë përroit Kidron.

14. Por vendet e larta nuk u eliminuan; megjithatë zemra e Asas mbeti plotësisht e shenjtëruar Zotit gjatë gjithë jetës së tij.

15. Ai solli në shtëpinë e Zotit gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat që ai vetë i kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe enët.

16. Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 15