25. Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.
26. Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Është njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhrit të Zotit; për këtë arsye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".
27. Pastaj iu drejtua bijve të tij dhe u tha: "Më shaloni gomarin". Ata ia shaluan.
28. Kështu ai u nis dhe e gjeti kufomën të hedhur në mes të rrugës, ndërsa gomari dhe luani rrinin afër kufomës; luani nuk e kishte ngrënë kufomën as kishte shqyer gomarin.
29. Profeti mori kufomën e njeriut të Perëndisë, e ngarkoi mbi gomarin dhe u kthye; kështu profeti plak u kthye në qytet për ta vajtuar dhe për ta varrosur.
30. E vendosi kufomën në varrin e tij; dhe filluan ta qajnë, duke thënë: "Oh, vëllai im!".
31. Mbas varrimit, profeti plak u tha bijve të tij: "Kur të vdes unë, më varrosni në varrin e njeriut të Perëndisë; m'i vini kockat pranë kockave të tij.
32. Sepse me siguri do të vërtetohet fjala e thënë prej tij me urdhër të Zotit kundër altarit të Bethelit dhe kundër tërë shenjtërorëve të vendeve të larta në qytetet e Samarisë".
33. Mbas kësaj ngjarjeje, Jeroboami nuk u tërhoq nga rruga e tij e keqe, por bëri priftërinj të tjerë për vendet e larta, duke i marrë nga çdo shtresë personash; kushdo që e dëshironte, shenjtërohej prej tij dhe bëhej prift i vendeve të larta.
34. Ky qe mëkati i shtëpisë së Jeroboamit, që shkaktoi shkatërrimin e saj dhe shfarosjen e saj nga faqja e dheut.