Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 13:16-26 Bibla Shqip (ALBB)

16. Por ai u përgjigj: "Nuk mund të kthehem prapa as të vij me ty, nuk mund të ha bukë dhe të pi ujë me ty në këtë vend,

17. sepse Zoti më ka thënë: "Ti atje nuk do të hash bukë as do të pish ujë, dhe nuk do të kthehesh nëpër rrugën e përshkuar kur shkove".

18. Tjetri i tha: "Edhe unë jam profet si ti; dhe një engjëll më ka folur nga ana e Zotit, duke thënë: "Merre me vete në shtëpinë tënde që të hajë bukë dhe të pijë ujë"". Por ai gënjente.

19. Kështu njeriu i Perëndisë u kthye prapa bashkë me të dhe hëngri bukë në shtëpinë e atij dhe piu ujë.

20. Ndërsa ishin ulur në tryezë, fjala e Zotit iu drejtua profetit që e kishte kthyer prapa;

21. dhe ai i thirri njeriut të Perëndisë të ardhur nga Juda, duke thënë: "Kështu flet Zoti: "Me qenë se nuk iu binde urdhrit të Zotit dhe nuk respektove porosinë e Zotit, Perëndisë tënd, që të kishte dhënë,

22. por u ktheve prapa dhe hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të pati thënë: "Mos ha bukë e mos pi ujë", kufoma jote nuk ka për të hyrë në varret e prindërve të tu".

23. Kur mbaroi së ngrëni dhe së piri, profeti që e kishte kthyer prapa i shaloi gomarin.

24. Kështu ai u nis, por një luan i doli rrugës dhe e vrau. Kufoma e tij u hodh në mes të rrugës, ndërsa gomari i qëndronte afër dhe vetë luani mbeti pranë kufomës.

25. Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.

26. Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Është njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhrit të Zotit; për këtë arsye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 13