Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 12:18-31 Bibla Shqip (ALBB)

18. Mbreti Roboam dërgoi Adoramin, të ngarkuarin me haraçet, por tërë Izraeli e qëlloi me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam shpejtoi të hipë mbi një qerre për të ikur në Jeruzalem.

19. Kështu Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.

20. Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës.

21. Roboami, me të arritur në Jeruzalem, mblodhi tërë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit dhe për t'i kthyer kështu mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit.

22. Por fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, duke i thënë:

23. "Fol me Roboamin, birin e Salomonit, mbret të Judës, me tërë shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit dhe pjesës tjetër të popullit, dhe u thuaj atyre:

24. Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili të kthehet në shtëpinë e tij, sepse kjo gjë vjen nga unë". Ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa, sipas fjalës të Zotit.

25. Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin.

26. Jeroboami tha në zemër të vet: "Tani mbretëria do t'i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit.

27. Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për të ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës".

28. Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: "Është shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!".

29. Pastaj vendosi njërin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan.

30. Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi.

31. Ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 12