Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 11:30-43 Bibla Shqip (ALBB)

30. Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë;

31. pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise,

32. (por atij do t'i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit),

33. sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi.

34. Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia.

35. Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise;

36. birit të tij do t'i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t'i vënë emrin tim.

37. Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit.

38. Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin;

39. për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithnjë"".

40. Prandaj Salomoni kërkoi të shkaktonte vdekjen e Jeroboamit; por Jeroboami u ngrit dhe iku në Egjipt pranë Shishakut, mbretit të Egjiptit, dhe qëndroi në Egjipt derisa vdiq Salomoni.

41. Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, gjithë ato që bëri dhe dituria e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e bëmave të Salomonit?

42. Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi të gjithë Izraelin dyzet vjet.

43. Pastaj Salomonin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit, atit të tij; në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 11