Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 11:24-36 Bibla Shqip (ALBB)

24. Ai mblodhi rreth tij disa njerëz dhe u bë kryetar i një bande grabitësish, kur Davidi kishte masakruar ata të Tsobahut. Pastaj ata shkuan në Damask, u vendosën atje dhe mbretëruan në Damask.

25. Rezoni qe armik i Izraelit gjatë gjithë kohës së Salomonit (përveç së keqes që bëri Hadadi). Kishte neveri për Izraelin dhe mbretëroi në Siri.

26. Edhe Jeroboami, shërbëtor i Salomonit, ngriti krye kundër mbretit. Ai ishte bir i Nebatit, efrateut të Tseredës, dhe kishte nënë një të ve me emrin Tseruah.

27. Arsyeja pse ngriti krye kundër mbretit ishte kjo: Salomoni, duke ndërtuar Milon, kishte mbyllur të çarën e qytetit të Davidit, atit të tij.

28. Jeroboami ishte një njeri i fortë dhe trim; dhe Salomoni, duke parë se si punonte ky i ri, i besoi mbikëqyrjen e të gjithë atyre që merreshin me punimet e shtëpisë së Jozefit.

29. Në atë kohë, ndërsa Jeroboami po dilte nga Jeruzalemi, profeti Ahijah nga Shilohu, që kishte veshur një mantel të ri, e takoi rrugës; dhe ishin ata të dy vetëm në fushë.

30. Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë;

31. pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise,

32. (por atij do t'i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit),

33. sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi.

34. Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia.

35. Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise;

36. birit të tij do t'i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t'i vënë emrin tim.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 11