Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 11:2-18 Bibla Shqip (ALBB)

2. që u përkisnin popujve për të cilët Zoti u kishte thënë bijve të Izraelit: "Ju nuk do të lidhni martesë me ta, as ata me ju, sepse ata do ta kthejnë me siguri zemrën tuaj nga perënditë e tyre". Por Salomoni u bashkua me këto gra nga dashuria.

3. Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën.

4. Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.

5. Salomoni ndoqi, pra, Ashtorethin, perëndeshën e sidonëve, dhe Milkomin, të neveritshmin e amonitëve.

6. Kështu Salomoni bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin, ashtu si kishte bërë i ati David.

7. Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit.

8. Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre.

9. Prandaj Zoti u zemërua me Salomonin, sepse zemra e tij qe larguar nga Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ishte shfaqur dy herë,

10. dhe lidhur me këtë e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjera; por ai nuk respektoi atë që Zoti e kishte urdhëruar.

11. Prandaj Zoti i tha Salomonit: "Me qenë se kë bërë këtë gjë dhe nuk ke respektuar besëlidhjen time dhe statutet e mia që të kisha urdhëruar, unë do të ta heq mbretërinë nga dora dhe do t'ia jap shërbëtorit tënd.

12. Megjithatë, për dashurinë që ndiej për Davidin, atin tënd, këtë nuk do ta bëj gjatë jetës sate, por do ta heq nga duart e birit tënd.

13. Por nuk do t'i marr tërë mbretërinë, do t'i lë birit tënd një fis, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, dhe për hir të Jeruzalemit që kam zgjedhur".

14. Zoti ngriti kundër Salomonit një armik, Hadadin, idumeun, që ishte një pasardhës i mbretit të Edomit.

15. Kur Davidi kishte vajtur të luftonte në Edom, dhe kur Joabi, komandant i ushtrisë, kishte dalë për të varrosur të vdekurit, mbasi kishte vrarë tërë meshkujt që ishin në Edom,

16. (Joabi, pra, me të gjithë Izraelin kishte mbetur atje gjashtë muaj derisa i shfarosi gjithë meshkujt në Edom),

17. ndodhi që Hadadi arriti të ikë bashkë me disa idumenj në shërbim të atit të tij, për të vajtur në Egjipt. Atëherë Hadadi ishte djalosh.

18. Ata u nisën nga Midiani dhe shkuan në Paran; morën pastaj me vete njerëz nga Parani dhe arritën në Egjipt te Faraoni, mbret i Egjiptit, i cili i dha Hadadit një shtëpi, i siguroi ushqim dhe i dha madje edhe toka.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 11