Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 10:9-21 Bibla Shqip (ALBB)

9. Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që pati mirësinë të të vërë mbi fronin e Izraelit! Për shkak të dashurisë së tij të përjetshme për Izraelin, Zoti të ka vënë mbret për të ushtruar arsyen dhe drejtësinë".

10. Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talente ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk u çuan më aq aroma sa i dha mbretëresha Sheba mbretit Salomon.

11. (Flota e Hiramit që transporton flori nga Ofiri, solli që andej një sasi të madhe dru santali dhe gurësh të çmuar;

12. me drurin e santalit mbreti bëri mbështetëse për shtëpinë e Perëndisë dhe për pallatin mbretëror si edhe qeste dhe harpa për këngëtarët. Dru santali nuk sollën më dhe nuk është parë më deri më sot).

13. Mbreti Salomon i dha mbretëreshës Sheba të gjitha gjërat që ajo i kërkoi; përveç këtyre, Salomoni i dhe asaj shumë gjëra me bujarinë e tij të madhe mbretërore. Pastaj ajo mori përsëri rrugën dhe u kthye në vendin e saj bashkë me shërbëtorët e vet.

14. Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talent ari,

15. përveç atij që vinte nga tregtarët, nga lëvizja e mallrave, nga gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit.

16. Mbreti Salomon dha urdhër të përgatiteshin dyqind mburoja të mëdha me flori të rrahur, duke përdorur për secilin prej tyre gjashtëqind sikla ari,

17. dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre tri mina ari; mbreti i vendosi në pallatin e "Pyllit të Libanit".

18. Gjithashtu mbreti bëri një fron të madh prej fildishi të veshur me ar të kulluar.

19. Froni kishte shtatë shkallëza dhe maja e tij ishte e rrumbullakët në pjesën e prapme; kishte dy krahë në anët e karriges dhe pranë dy krahëve rrinin dy luanë.

20. Dymbëdhjetë luanë qëndronin në të dy skajet e gjashtë shkallareve. Asnjë gjë e tillë nuk ishte bërë në ndonjë mbretëri.

21. Të gjitha kupat e pijeve të mbretit Salomon ishin prej ari, dhe të gjitha kupat e pallatit "Pylli i Libanit" ishin prej ari të kulluar. Asnjëra nuk ishte prej argjendi, sepse në kohën e Salomonit argjendi nuk vlente asgjë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 10