Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 10:14-26 Bibla Shqip (ALBB)

14. Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talent ari,

15. përveç atij që vinte nga tregtarët, nga lëvizja e mallrave, nga gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit.

16. Mbreti Salomon dha urdhër të përgatiteshin dyqind mburoja të mëdha me flori të rrahur, duke përdorur për secilin prej tyre gjashtëqind sikla ari,

17. dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre tri mina ari; mbreti i vendosi në pallatin e "Pyllit të Libanit".

18. Gjithashtu mbreti bëri një fron të madh prej fildishi të veshur me ar të kulluar.

19. Froni kishte shtatë shkallëza dhe maja e tij ishte e rrumbullakët në pjesën e prapme; kishte dy krahë në anët e karriges dhe pranë dy krahëve rrinin dy luanë.

20. Dymbëdhjetë luanë qëndronin në të dy skajet e gjashtë shkallareve. Asnjë gjë e tillë nuk ishte bërë në ndonjë mbretëri.

21. Të gjitha kupat e pijeve të mbretit Salomon ishin prej ari, dhe të gjitha kupat e pallatit "Pylli i Libanit" ishin prej ari të kulluar. Asnjëra nuk ishte prej argjendi, sepse në kohën e Salomonit argjendi nuk vlente asgjë.

22. Në fakt mbreti kishte në det Flotën e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit; çdo tre vjet flota e Tarshishit sillte ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

23. Kështu mbreti Salomon ua kaloi në pasuri dhe dituri tërë mbretërve të tokës.

24. Dhe tërë bota kërkonte praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia kishte vënë në zemrën e tij.

25. Dhe secili sillte dhuratën e tij: enë argjendi, enë ari, veshje, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një farë sasie çdo vit.

26. Salomoni grumbulloi qerre dhe kalorës; ai pati një mijë e katërqind qerre dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i ndau nëpër qytetet sipas qerreve dhe në Jeruzalem afër tij.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 10