5. Adonijahut, birit të Hagithit, i qe rritur mendja, dhe thoshte: "Do të jem unë mbret!". Dhe gjeti qerre, kalorës dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij.
6. (I ati i tij nuk e kishte qortuar kurrë në jetën e tij, duke i thënë: "Pse bën kështu?". Edhe Adonijahu ishte shumë i bukur dhe kishte lindur mbas Absalomit).
7. Ai u mor vesh me Joabin, birin e Tserujahut, dhe me priftin Abiathar, të cilët i vajtën pas Adonijahut dhe e ndihmuan.
8. Por prifti Tsadok, Benajathi, bir i Jehojadit, profeti Nathan, Shimei, Rei dhe trimat e Davidit nuk ishin me Adonijahun.
9. Adonijahu flijoi dele, qe dhe viça të majmë pranë shkëmbit të Zoheletit, që ndodhet afër kroit të Rogelit dhe ftoi të gjithë vëllezërit e tij, bij të mbretit, dhe të gjithë njerëzit e Judës që ishin në shërbim të mbretit.
10. Por nuk ftoi profetin Nathan, as Banajahun, as trimat, as Salomonin, vëllanë e tij.
11. Atëherë Nathani i foli Bath-Shebës, nënës së Salomonit, dhe i tha: "Nuk ke dëgjuar që Adonijahu, bir i Hagithit, është bërë mbret, dhe Davidi, zotëria ynë, nuk e di aspak?
12. Prandaj më lejo të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe atë të birit tënd, Salomonit.
13. Shko, hyr te mbreti David dhe i thuaj: "O mbret, o imzot, a nuk i je betuar vallë shërbëtores sate duke thënë: Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim? Pse, pra, u bë mbret Adonijahu?".
14. Pastaj, ndërsa ti do të jesh akoma duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të mbështes fjalët e tua".
15. Kështu Bath-Sheba hyri në dhomën e mbretit. (Mbreti ishte shumë plak dhe shërbehej nga shunamitja, Abishag).