Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 1:39-50 Bibla Shqip (ALBB)

39. Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!".

40. Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre.

41. Adonijahu dhe tërë të ftuarit e tij, ndërsa po mbaronin së ngrëni, dëgjuan zhurmë; dhe kur Joabi dëgjoi zërin e borisë, ai tha: "Ç'është kjo zhurmë e madhe që vjen nga qyteti?".

42. Ndërsa vazhdonte të fliste, ja që arriti Jonathani, bir i priftit Abiathar. Adonijahu i tha: "Hyr, ti je një trim dhe me siguri sjell lajme të mira".

43. Jonathani iu përgjigj Adonijahut dhe tha: "Aspak! Mbret Davidi, zoti ynë, bëri mbret Salomonin.

44. Ai nisi me të priftin Tsadok, profetin Nathan, Benajahun, birin e Jehojadës, kerethenjtë dhe pelethenjtë, që e hipën mbi mushkën e mbretit.

45. Kështu prifti Tsadok dhe profeti Nathan e vajosën mbret në Gibon, dhe që andej janë nisur të gjithë tërë gëzim dhe tërë qyteti po zien. Kjo është zhurma që keni dëgjuar.

46. Përveç kësaj Salomoni është ulur në fronin e mbretërisë.

47. Dhe shërbëtorët e mbretit kanë vajtur të urojnë mbretin David, zotërinë tonë, duke thënë: "Perëndia yt e bëftë emrin e Salomonit më të lavdishëm se yti dhe e bëftë fronin e tij më të madh se yti!". Pastaj mbreti ra përmbys mbi shtrat,

48. dhe tha gjithashtu: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot uli një njeri mbi fronin tim, duke u lejuar syve të mi ta shikojnë"".

49. Atëherë tërë të ftuarve të Adonijahut u hyri tmerri, ata u ngritën dhe ikën secili në rrugën e tij.

50. Adonijahu, duke pasur frikë nga Salomoni, u ngrit dhe shkoi të kapet në brirët e altarit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 1