Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 1:33-42 Bibla Shqip (ALBB)

33. Mbreti u tha atyre: "Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon.

34. Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: "Rroftë mbreti Salomon!".

35. Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës".

36. Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim!

37. Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!".

38. Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, kerethenjtë dhe pelethenjtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon.

39. Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!".

40. Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre.

41. Adonijahu dhe tërë të ftuarit e tij, ndërsa po mbaronin së ngrëni, dëgjuan zhurmë; dhe kur Joabi dëgjoi zërin e borisë, ai tha: "Ç'është kjo zhurmë e madhe që vjen nga qyteti?".

42. Ndërsa vazhdonte të fliste, ja që arriti Jonathani, bir i priftit Abiathar. Adonijahu i tha: "Hyr, ti je një trim dhe me siguri sjell lajme të mira".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 1