Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 1:21-40 Bibla Shqip (ALBB)

21. Përndryshe ka për të ndodhur që kur mbreti, zotëria im, do të flejë me gjithë etërit e tij, unë dhe biri im Salomon do të trajtohemi si fajtorë".

22. Ndërsa ajo fliste akoma me mbretin, arriti profeti Nathan.

23. Atëherë ia njoftuan mbretit ngjarjen, duke thënë: "Ja profeti Nathan!". Ky hyri në prani të mbretit dhe u shtri para tij me fytyrën për tokë.

24. Nathani tha: "O mbret, o imzot, ndofta ke thënë: "Adonijahu do të mbretërojë pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim"?

25. Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: "Rroftë mbreti Adonijah".

26. Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd.

27. Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?".

28. Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij.

29. Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi,

30. unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"".

31. Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: "O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!".

32. Pastaj mbreti David tha: "Thirrmëni priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun, birin e Jehojadit". Ata erdhën në prani të mbretit.

33. Mbreti u tha atyre: "Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon.

34. Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: "Rroftë mbreti Salomon!".

35. Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës".

36. Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim!

37. Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!".

38. Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, kerethenjtë dhe pelethenjtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon.

39. Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!".

40. Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 1