Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Kronikave 29:21-30 Bibla Shqip (ALBB)

21. Të nesërmen bënë flijime për Zotin dhe i ofruan holokauste: një mijë dema të vegjël, një mijë desh, një mijë qengja me libacionet përkatëse dhe flijime të shumta për tërë Izraelin.

22. Atë ditë hëngrën dhe pinë me gëzim të madh para Zotit; dhe për herë të dytë e shpallën mbret Salomonin, birin e Davidit dhe e vajosën përpara Zotit që të ishte princ, dhe Tsadokun që të ishte prift.

23. Pastaj Salomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij; ai pati mbarësi dhe tërë Izraeli iu bind.

24. Gjithë krerët, trimat dhe tërë bijtë e mbretit David iu nënshtruan mbretit Salomon.

25. Kështu Zoti e bëri shumë të madh Salomonin përpara tërë Izraelit dhe i dha një madhështi mbretërore që asnjë mbret para tij në Izrael nuk e kishte pasur kurrë.

26. Davidi, bir i Isait, mbretëronte mbi tërë Izraelin.

27. Ai mbretëroi dyzet vjet mbi Izraelin: shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.

28. Vdiq shumë plak, i ngopur me ditë, me pasuri dhe lavdi. Në vend të tij mbretëroi i biri, Salomoni.

29. Trimëritë e mbretit David, si të parat ashtu dhe të fundit, janë shkruar në librin e shikuesit Samuel, në librin e profetit Nathan dhe në librin e shikuesit Gad,

30. me të gjitha ato gjëra që kanë të bëjnë me mbretërinë e tij, me fuqinë e tij dhe me të gjitha ngjarjet që i ndodhën atij, Izraelit dhe tërë mbretërive të vendeve të tjera.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Kronikave 29