Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Kronikave 29:16-27 Bibla Shqip (ALBB)

16. O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull ty, në emrin tënd të shenjtë, vjen nga dora jote, është e tëra jotja.

17. Unë e di, o Perëndia im, që ti provon zemrën dhe gëzohesh kur sheh sjelljen e drejtë. Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra; dhe tani shoh me gëzim që populli yt, që është këtu i pranishëm, bën ofertat e tij në mënyrë spontane.

18. O Zot, Perëndi i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, i etërve tanë, ruaj gjithnjë këto prirje dhe mendime në zemrën e popullit tënd dhe drejto zemrat e tyre nga ti;

19. dhe jepi Salomonit, birit tim, një zemër të ndershme, që ai të respektojë urdhërimet, porositë dhe statutet e tua, që të bëjë tërë këto gjëra dhe të ndërtojë tempullin për të cilin kam bërë përgatitjet".

20. Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë: "Tani bekoni Zotin, Perëndinë tuaj". Atëherë tërë asambleja bekoi Zotin, Perëndinë e etërve të tyre; u përkulën dhe ranë përmbys përpara Zotit dhe mbretit.

21. Të nesërmen bënë flijime për Zotin dhe i ofruan holokauste: një mijë dema të vegjël, një mijë desh, një mijë qengja me libacionet përkatëse dhe flijime të shumta për tërë Izraelin.

22. Atë ditë hëngrën dhe pinë me gëzim të madh para Zotit; dhe për herë të dytë e shpallën mbret Salomonin, birin e Davidit dhe e vajosën përpara Zotit që të ishte princ, dhe Tsadokun që të ishte prift.

23. Pastaj Salomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij; ai pati mbarësi dhe tërë Izraeli iu bind.

24. Gjithë krerët, trimat dhe tërë bijtë e mbretit David iu nënshtruan mbretit Salomon.

25. Kështu Zoti e bëri shumë të madh Salomonin përpara tërë Izraelit dhe i dha një madhështi mbretërore që asnjë mbret para tij në Izrael nuk e kishte pasur kurrë.

26. Davidi, bir i Isait, mbretëronte mbi tërë Izraelin.

27. Ai mbretëroi dyzet vjet mbi Izraelin: shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Kronikave 29