Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Kronikave 12:16-32 Bibla Shqip (ALBB)

16. Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala.

17. Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: "Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë".

18. Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: "Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqe atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon". Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave.

19. Edhe nga Manasi disa kaluan me Davidin, kur ky vajti me filistenjtë për të luftuar kundër Saulit; por këta nuk i dhanë asnjë ndihmë filistenjve, sepse princat e filistenjve, mbasi u konsultuan, e kthyen prapa Davidin, duke thënë: "Ai ka për të kaluar me zotërinë e tij Saul duke vënë në rrezik kokat tona".

20. Ndërsa shkonte në Tsiklag, ata të Manasit që kaluan me të ishin Adnahu, Jozbadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihu, Tsillethai, komandantë të mijësheve që i përkisnin Manasit.

21. Këta e ndihmuan Davidin kundër bandave të plaçkitësve, sepse ishin të gjithë njerëz të fortë dhe trima dhe u bënë komandantë në ushtri.

22. Në atë kohë, në të vërtetë, çdo ditë disa vinin te Davidi për ta ndihmuar derisa formoi një ushtri të madhe si ushtria e Perëndisë.

23. Ky është numri i krerëve të armatosur për luftë, që shkuan te Davidi në Hebron për t'i kaluar atij mbretërinë e Saulit, sipas fjalës së Zotit.

24. Bijtë e Judës, që mbanin mburoja dhe shtiza ishin gjashtë mijë e tetëqind veta, të armatosur për luftë.

25. Nga bijtë e Simeonit, njerëz të fortë dhe trima në luftë, ishin shtatë mijë e njëqind veta.

26. Nga bijtë e Levit, katër mijë e gjashtëqind veta;

27. përveç Jehojadit, princit të familjes së Aaronit, që kishte tre mijë e shtatëqind veta,

28. dhe Tsadoku, një i ri i fortë dhe trim, me njëzet e dy krerë të shtëpisë së tij atërore.

29. Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit).

30. Nga bijtë e Efraimit, njëzet mijë e tetëqind veta, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, sipas shtëpive të tyre atërore.

31. Nga gjysma e fisit të Manasit, tetëmbëdhjetë mijë veta, që u zgjodhën individualisht për të vajtur dhe për ta shpallur mbret Davidin.

32. Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohërat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli: dyqind krerë dhe tërë vëllezërit e tyre në urdhrat e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Kronikave 12