kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zbulesa 4 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: ''Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave''.

2. Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.

3. Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit.

4. Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:

5. dhe nga froni shpërthenin vetëtima, bubullima dhe zëra; dhe përpara fronit ishin shtatë llamba të ndezura, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë.

6. Dhe përpara fronit ishte si një det i qelqtë që i ngjante kristalit, dhe në mes të fronit dhe përreth fronit katër kafshë, që ishin plot me sy përpara dhe prapa.

7. Qenia e parë e gjallë ishte e ngjashme me një luan, edhe qenia e dytë e gjallë e ngjashme me një viç, edhe qenia e tretë e gjallë kishte fytyrë si të njeriut, edhe e katërta ishte e ngjashme me një shqiponjë në fluturim.

8. Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: ''I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!''.

9. Sa herë që qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e falënderim atij që rri ulur mbi fron, atij që rron në shekuj të shekujve,

10. të njëzet e katër pleq bien përmbys përpara atij që rri mbi fron dhe adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:

11. ''Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan''.