Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zbulesa 22:2-15 Bibla Shqip (ALBB)

2. Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr çdo muaj një frutë; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.

3. Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë;

4. ata do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.

5. Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

6. Dhe më tha: ''Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t'u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.

7. Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri''.

8. Dhe unë, Gjoni, jam ai që kam parë dhe dëgjuar këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m'i tregonte këto gjëra.

9. Dhe ai më tha: ''Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i ruajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!''.

10. Pastaj më tha: ''Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.

11. Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.

12. Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t'i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.

13. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit''.

14. Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit.

15. Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 22