16. Dhe qyteti kishte formë katërkëndëshi, dhe gjatësia e tij është sa gjerësia; ai e mati qytetin me kallamin deri në dymbëdhjetë mijë stade; gjatësia, gjerësia dhe lartësia e tij janë të barabarta.
17. Mati edhe murin, që ishte njëqind e dyzet e katër kubitë, me matje njeriu, domethënë engjëlli.
18. Muri ishte bërë prej diaspri; dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, i ngjashëm me kristal transparent.
19. Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me gjithfarë gurësh të çmuar; themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
20. i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopraci, i njëmbëdhjeti prej hiacinti, i dymbëdhjeti prej ametisti.
21. Dhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, secila portë ishte bërë prej një margaritari të vetëm, edhe sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar, si kristal i transparent.
22. Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.
23. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.
24. Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
25. Dhe portat e tij nuk do të mbyllen asnjëherë gjatë ditës, sepse nuk do të ketë asnjëherë natë.
26. Edhe në të do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve.
27. Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit.