Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zbulesa 18:13-23 Bibla Shqip (ALBB)

13. dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temjan, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.

14. Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t'i gjesh më kurrë.

15. Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrinë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,

16. duke thënë: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë!

17. Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!''. Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg

18. dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: ''Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?''.

19. Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilin u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga pasuria e saj, sepse për një moment u shkretua!

20. Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë''.

21. Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: ''Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më;

22. dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo zanati nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit.

23. Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 18