Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zbulesa 18:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.

2. Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: ''Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe të neveritshëm.

3. Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar''.

4. Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: ''Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,

5. sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.

6. Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.

7. Aq sa i dha lavdi vetes dhe u dha pas dëfrimeve, po aq i jepni asaj mundim dhe zi, sepse në zemër të saj thotë: "Unë jam ulur posi mbretëreshë, dhe e ve nuk jam dhe zi nuk do të shoh aspak".

8. Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndi, ai që e gjykon atë''.

9. Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;

10. ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: ''Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!''.

11. Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 18