Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 7:30-44 Bibla Shqip (ALBB)

30. Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.

31. Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,

32. që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.

33. Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.

34. Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t'i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".

35. Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?", po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.

36. Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretëtirë për dyzet vjet.

37. Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".

38. Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.

39. Etërit tanë nuk deshën t'i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,

40. duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç'i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".

41. Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.

42. Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t'i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe holokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?

43. Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, figura që i bëtë vetë për t'i adhuruar; për këtë arsye unë do t'ju shpërngul përtej Babilonisë".

44. Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 7