Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 6:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e helenistëve kundër hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

2. Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ''Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

3. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t'ua besojmë këtë detyrë.

4. Kurse ne do të vazhdojmë t'i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës''.

5. Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një proselit nga Antiokia.

6. I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

7. Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

8. Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

9. Dhe disa nga sinagoga, që quhej e libertinëve, të kirenarëve, të aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

10. por nuk mund t'i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

11. Atëherë nxitën disa njerëz të thoshin: ''Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë''.

12. Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

13. Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshin: ''Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

14. E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, nazarenasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu''.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 6