Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 3:12-23 Bibla Shqip (ALBB)

12. Dhe Pjetri, duke parë këtë gjë, i foli popullit duke thënë: ''Burra të Izraelit, pse po mrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë?

13. Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.

14. Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t'ju jepej një vrasës,

15. dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë!

16. Dhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë njeriun, që shihni dhe njihni, e forcoi emri i Jezusit; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i dha këtë shëndet të plotë, në praninë e ju të gjithëve.

17. Por tani, o vëllezër, unë e di që e keni bërë nga padija, ashtu siç kanë bërë edhe krerët tuaj.

18. Por kështu Perëndia i ka përmbushur ato që kishte parathënë me gojën e të gjithë profetëve të vet, se Krishti i tij do të vuante.

19. Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit,

20. dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve,

21. të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës.

22. Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: "Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t'ju thotë!

23. Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit".

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 3