Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 27:15-31 Bibla Shqip (ALBB)

15. Duke qenë se anija po ikte pa qenë në gjendje t'i qëndronte erës, e lamë në mëshirë të fatit dhe kështu filluam të shkojmë sa andej-këtej.

16. Si kaluam me të shpejtë pranë një ishulli të vogël, që quhet Klauda, arritëm me vështirësi ta vëmë nën kontroll sandallin.

17. Dhe, mbasi e ngritën në bordin, detarët përdorën të gjitha mënyrat për ta ngjeshur nga poshtë anijen dhe, nga frika se mos ngecnin në cekëtinat ranore të Sirtës, i ulën velat dhe kështu shkonin andej-këtej.

18. Por mbasi furtuna na vuri përpara me forcë, të nesërmen filluan ta hedhim në det ngarkesën.

19. Ditën e tretë, hodhën me duart e tyre, pajisjet e anijes në det.

20. Dhe, duke qenë se prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi.

21. Edhe, mbasi kishin mbetur shumë kohë pa ushqim, Pali u çua në mes të tyre dhe tha: ''O burra, po të më kishit dëgjuar dhe të mos ishit nisur nga Kreta, do t'i ishim shmangur këtij rreziku dhe kësaj humbjeje.

22. Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni toruan sepse asnjë shpirt nga ne nuk do të humbasë, përveç anijes.

23. Sepse këtë natë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe të cilit unë i shërbej,

24. duke thënë: "Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t'i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty".

25. Prandaj, o burra, kini zemër të gëzuar, sepse unë besoj në Perëndinë se do të ndodhë pikërisht ashtu siç m'u tha.

26. Edhe duhet të ngecim në një ishull''.

27. Kur erdhi nata e katërmbëdhjetë që po kalonim andej e këndej në detin Adriatik, aty nga mesnata detarët patën përshtypjen se po i afroheshin një toke.

28. Dhe, si hodhën matësin e thellësisë, gjetën njëzet pashë thellësi; pastaj, pak më tutje e hodhën përsëri matësin e thellësisë dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.

29. Atëherë, nga frika se mos përplaseshin kundër shkëmbinjve, hodhën nga kiçi katër spiranca, duke pritur me ankth që të bëhej ditë.

30. Por, duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallin në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi,

31. Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: ''Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni''.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 27