Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 26:4-19 Bibla Shqip (ALBB)

4. Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë judenjtë e dinë.

5. Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.

6. Dhe tani ndodhem para gjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,

7. premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga judenjtë.

8. Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t'i ringjallë të vdekurit?

9. Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit nazarenas.

10. Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.

11. Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.

12. Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve,

13. në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua.

14. Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave".

15. Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.

16. Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem,

17. duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani,

18. që t'u çelësh sytë atyre dhe t'i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".

19. Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk kam qenë i pabindur ndaj vegimit qiellor.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 26