kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 25 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kur Festi arriti në krahinë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezareja në Jeruzalem.

2. Kryeprifti dhe krerët e judenjve i paraqitën akuzat kundër Palit dhe i luteshin,

3. duke kërkuar t'u bënte favorin që Palin ta binin në Jeruzalem; kështu ata do ta vrisnin në një pritë rrugës.

4. Por Festi u përgjigj që Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të shkonte aty shpejt.

5. ''Prandaj njerëzit me influencë midis jush'', tha ai, ''le të zbresin me mua; dhe, në qoftë se ka ndonjë faj te ky njeri, le ta akuzojnë''.

6. Si qëndroi midis tyre jo më shumë se tetë a dhjetë ditë, Festi zbriti në Cezare; të nesërmen zuri vend në gjykatë dhe urdhëroi që të sillnin Palin.

7. Kur erdhi ai, judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi e rrethuan, dhe drejtuan kundër Palit shumë akuza të rënda, të cilat nuk mund t'i vërtetonin.

8. Në mbrojtje të vet Pali thoshte: ''Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit''.

9. Por Festi, duke dashur t'u bëjë qejfin judenjve, iu përgjigj Palit e tha: ''A dëshiron të ngjitesh në Jeruzalem për t'u gjykuar para meje për këto gjëra?''.

10. Atëherë Pali tha: ''Unë jam para gjykatës së Cezarit, ku duhet të gjykohem; unë nuk u kam bërë asnjë të padrejtë judenjve, sikurse ti e di fare mirë.

11. Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s'ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit''.

12. Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: ''Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh''.

13. Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenikja erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14. Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: ''Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,

15. kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.

16. Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t'i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.

17. Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.

18. Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.

19. Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.

20. Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.

21. Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari''.

22. Agripa i tha Festit: ''Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri''. Dhe ai u përgjigj: ''Do ta dëgjosh nesër''.

23. Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.

24. Atëherë Festi tha: ''O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e judenjve m'u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.

25. Por unë, duke parë se s'ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.

26. Dhe duke qenë se s'kam asgjë konkrete që t'i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.

27. Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij''.