Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 23:10-23 Bibla Shqip (ALBB)

10. Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë.

11. Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: ''Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë''.

12. Kur zbardhi dita, disa judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.

13. Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.

14. Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: ''Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.

15. Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t'jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim''.

16. Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.

17. Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: ''Çoje këtë djalë tek kryemijësi, sepse ka diçka për t'i thënë''.

18. Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijësi dhe tha: ''Pali, i burgosuri, më thirri dhe m'u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë''.

19. Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: ''Çfarë ke për të më thënë?''.

20. Ai tha: ''Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.

21. Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t'ua lejosh atyre''.

22. Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.

23. Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: ''Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare''.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 23