Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 18:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.

2. Dhe si gjeti një farë judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.

3. Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.

4. Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte judenj dhe grekë.

5. Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t'u dëshmuar judenjve se Jezusi ishte Krishti.

6. Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: ''Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë''.

7. Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjitur me sinagogën.

8. Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.

9. Një natë Zoti i tha Palit në vegim: ''Mos druaj, por fol dhe mos pusho,

10. sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet''.

11. Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.

12. Por, kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, judenjtë u ngritën me një mendje kundër Palit dhe e çuan në gjykatë,

13. duke thënë: ''Ky ua mbush mendjen njerëzve t'i shërbejnë Perëndisë, në kundërshtim me ligjin''.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 18