Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 17:17-33 Bibla Shqip (ALBB)

17. Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte.

18. Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshin: ''Vallë ç'do të thotë ky llafazan''. Dhe të tjerë thoshin: ''Ai duket se është një kasnec i perëndive të huaja'', sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen.

19. Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: ''A mund ta marrim vesh ç'është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet?

20. Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç'kuptim kanë ato.

21. Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re.

22. Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: ''O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë''.

23. Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERËNDISË SË PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

24. Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

25. dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

26. dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

27. që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

28. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".

29. Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

30. Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

31. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit''.

32. Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshin: ''Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë''.

33. Kështu Pali doli nga mesi i tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 17