Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 16:26-39 Bibla Shqip (ALBB)

26. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.

27. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.

28. Por Pali thirri me zë të lartë: ''Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu''.

29. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;

30. pastaj i nxori jashtë dhe tha: ''Zotërinj, ç'duhet të bëj unë që të shpëtohem?''.

31. Dhe ata i thanë: ''Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote''.

32. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.

33. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.

34. Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.

35. Kur u gdhi, pretorët dërguan liktorët t'i thonë rojtarit të burgut: ''Lëri të lirë ata njerëz''.

36. Dhe rojtari i burgut i tregoi Palit këto fjalë: ''Pretorët kanë dërguar fjalë që të liroheni; dilni, pra, dhe shkoni në paqe''.

37. Por Pali u tha atyre: ''Mbasi na kanë rrahur botërisht pa qenë të dënuar në gjyq, ne që jemi qytetarë romakë, na futën në burg dhe tani na nxjerrin fshehtas? Jo, kurrsesi! Le të vijnë vetë ata të na nxjerrin jashtë''.

38. Liktorët ua tregon këto fjalë pretorëve; dhe ata, kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë, u frikësuan.

39. Atëherë erdhën dhe iu lutën atyre, dhe si i nxorën, iu lutën që të largohen nga qyteti.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 16