Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 15:23-40 Bibla Shqip (ALBB)

23. me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ''Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.

24. Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,

25. na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t'i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,

26. njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

27. Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t'ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.

28. Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:

29. që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë''.

30. Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.

31. Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.

32. Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.

33. Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt.

34. Por Silës iu duk mirë të mbetej aty.

35. Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit.

36. Pas disa ditësh Pali i tha Barnabas: ''Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë''.

37. Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Mark.

38. Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë.

39. Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori Markun, lundroi për në Qipro.

40. Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 15