Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 15:14-31 Bibla Shqip (ALBB)

14. Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.

15. Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:

16. "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t'i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,

17. që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".

18. Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.

19. Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,

20. por t'u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.

21. Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qenë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga''.

22. Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnaban, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, burra udhëheqës ndër vëllezërit,

23. me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ''Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.

24. Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,

25. na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t'i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,

26. njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

27. Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t'ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.

28. Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:

29. që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë''.

30. Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.

31. Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 15