Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 14:18-28 Bibla Shqip (ALBB)

18. Duke thënë këto gjëra, mundën t'i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim.

19. Por në atë kohë erdhën disa judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit.

20. Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnaban për në Derbë.

21. Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,

22. duke fuqizuar shpirtrat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.

23. Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.

24. Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, erdhën në Pamfili.

25. Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.

26. Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer.

27. Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç'gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit.

28. Dhe qëndruan atje me dishepujt mjaft kohë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 14