Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 10:19-31 Bibla Shqip (ALBB)

19. Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: ''Ja, po të kërkojnë tre burra.

20. Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t'i kam dërguar''.

21. Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: ''Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?''.

22. Dhe ata i thanë: ''Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t'i thënë''.

23. Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopës e shoqëruan.

24. Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë.

25. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi.

26. Por Pjetri e ngriti duke thënë: ''Çohu, edhe unë jam një njeri!''.

27. Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz.

28. Dhe ai u tha atyre: ''Ju e dini se nuk është e ligjshme që një jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur.

29. Prandaj, sapo më ftuat të vij, erdha pa kundërshtuar. Tani po ju pyes: për ç'arsye më keni dërguar ftesë?''.

30. Dhe Korneli u përgjigj: ''Para katër ditësh kisha agjëruar deri në këtë orë, dhe në orën e nëntë po lutesha në shtëpinë time, kur ja, një njeri me rroba të shndritshme qëndroi para meje,

31. dhe tha: "Kornel, lutja jote t'u plotësua dhe lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 10