Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Romakëve 9:1-17 Bibla Shqip (ALBB)

1. Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegjja ime me anë të Frymës së Shenjtë;

2. kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.

3. Sepse do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,

4. të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;

5. të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

6. Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.

7. As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: ''Në Isakun do të quhet pasardhja jote''.

8. Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.

9. Sepse kjo është fjala e premtimit: ''Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir''.

10. Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,

11. (sepse para se t'i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),

12. iu tha asaj: ''Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit'',

13. siç është shkruar: ''E desha Jakobin dhe e urreva Esaun''.

14. Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!

15. Ai i thotë në fakt Moisiut: ''Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri''.

16. Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.

17. Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: ''Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun''.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 9