Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Romakëve 8:14-28 Bibla Shqip (ALBB)

14. Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.

15. Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ''Aba, o Atë!''.

16. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.

17. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe përlëvdohemi me të.

18. Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.

19. Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,

20. sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,

21. me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.

22. Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.

23. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.

24. Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë?

25. Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim me durim.

26. Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.

27. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.

28. Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 8