Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Romakëve 2:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.

2. Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.

3. Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?

4. Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?

5. Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,

6. që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:

7. jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;

8. ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.

9. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, judeut më parë e pastaj grekut;

10. por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, judeut më parë e pastaj grekut.

11. Sepse te Perëndia nuk ka anësi.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 2