Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 9:8-24 Bibla Shqip (ALBB)

8. Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.

9. Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe ai u çua dhe e ndoqi.

10. Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.

11. Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ''Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?''.

12. Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.

13. Tani shkoni dhe mësoni ç'do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët''.

14. Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: ''Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?''.

15. Dhe Jezusi u tha atyre: ''A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t'ua marrin dhëndrin dhe atëherë ata do të agjërojnë.

16. Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.

17. Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy''.

18. Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''.

19. Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.

20. Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobës së tij.

21. Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rrobën e tij, do të shërohem''.

22. Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua.

23. Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,

24. u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 9